22:14 / E Premte, 16 Prill 2021 / Blerim

Navalny nga burgu: Më kërcënuan se do të më ushqejnë me forcë

Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, tha të premten se autoritetet e burgut e kanë kërcënuar se do ta ushqejnë me forcë, nëse nuk e ndërpret grevën e tij të urisë.

Navalny, 44 vjeç, hyri në grevë urie në fund të muajit të kaluar në shenjë proteste pasi u ankua se autoritetet e burgut nuk po e lejojnë të marrë kujdesin e duhur shëndetësor. Ai pati thënë se ka dhimbje të vazhdueshme në shpinë dhe këmbë.

Në një postim në Instagram, Navalny tha se një zyrtar i tha atij se testet e gjakut treguan se shëndeti i tij po përkeqësohej dhe e kërcënoi se do ta ushqente me forcë nëse e vazhdon grevën e tij të urisë.

Janë bërë vetëm disa muaj prej kur Navalny është trajtuar për helmim nga një agjent nervor. Pas shërimit në Gjermani, ai është burgosur në Rusi, në muajin janar.

Aktualisht, Navalny po mbahet në atë që njihet si një prej burgjeve më të ashpra në Rusi, rreth 100 kilometra në lindje të Moskës.