12:02 / E Hënë, 26 Shtator 2022 / k.v

Ndahen gjysmë milioni euro për tunelin në rrugën “Agim Ramadani”, Prishtina e vjetër lidhet me sheshin

Gjysmë milioni euro janë planifikuar të investohen vitin e ardhëm në një tunel që do të ndërtohet në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, transmeton IndeksOnline.

Nënkalimi u dedikohet veturave ndërsa pjesa e sipërmeve do të shndërrohet në shëtitore.

Javën e kaluar Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi buxhetin për vitin 2023 ku në një ndër projektet madhore, figuron edhe projekti i nënkalimit në këtë zonë.

Për këtë projekt të madh, ka folur edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

Ai në një intervistë për IndeksOnline ka konfirmuar se është buxhetuar projekti për rrugën “Agim Ramadani”, ku aty do të ndërtohet nënkalimi për vetura.

“Kemi buxhetuar tunelin në atë rrugë, i cili faktikisht do të ndërtohet një nënkalim ku veturat do të futen nën tunel ndërsa pjesa e sipërmeve do të kthehet në shëtitore e cila do të lidh Prishtinën e vjetër me sheshin”, ka thënë Zogaj, duke shtuar se ky projekt do të jetë ndër më të bukurit në kryeqytet.

Granti i përgjithshëm është 400 mijë euro, nga burimet vetanake janë planifikuar 100 mijë euro ku totali i këtij projekti është 500 mijë euro./IndeksOnline/