09:30 / E Premte, 12 Janar 2018 / indeksADMonline

Ndahet nga jeta mjeshtri i madh i valles shqiptare Rexhep Çeliku

Pas një sëmundje të rëndë është ndarë sot nga jeta Rexhep Çeliku, solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ai ndryshe njihej edhe si ‘Valltari Fluturues’, shkruan Indeksonline.

Ditë më parë, Presidenti Ilir Meta i dha titullin “Nderi i Kombit”, ceremoni në të cilën Mjeshtri Çeliku u paraqit vetë, edhe pse i sëmurë rëndë.

Rexhep Çeliku ka lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë. Që nga viti 1976 ka punuar solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje dhe mbi 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.