10:54 / E Shtunë, 23 Tetor 2021 / MSH

Ndalime rekord të emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë

SHBA thotë se më shumë se 1.7 milionë emigrantë janë arrestuar përgjatë kufirit të saj me Meksikën në 12 muajt e fundit.

Agjentët kapën njerëz nga më shumë se 160 vende, shkruan BBC.

Fama e presidentit Joe Biden, në sondazhet e opinionit, është duke u zvogëluar, pjesërisht si rezultat i politikës së tij të emigracionit.

Biden premtoi një politikë më njerëzore të imigrimit sesa paraardhësi i tij, Donald Trump, por kufiri SHBA-Meksikë është përfshirë nga kriza gjatë qeverisjes 9 mujore të Demokratëve.

Numrat e paraburgimit për vitin fiskal 2021, i cili përfundoi në shtator, janë më të lartat që nga viti 2000. Atë vit, më shumë se 1.6 milionë emigrantë u mbajtën në kufirin SHBA-Meksikë. Por numri nuk ka arritur në 1.7 milionë që kur autoritetet amerikane filluan për herë të parë të gjurmonin hyrje të tilla në vitet e ’60-ta.

“Numri i madh i dëbimeve gjatë pandemisë ka kontribuar në një numër më të madh të emigrantëve që bëjnë përpjekje të shumta për kalimin e kufirit”, tha Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së.

Ata që përpiqeshin të hynin ilegalisht në SHBA ishin kryesisht nga Meksika, Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori.

Nga të gjithë të arrestuarit, më së shumti kishte të rritur që udhëtonin pa fëmijë – më shumë se 1.1 milionë (ose 64%).

Në të njëjtën kohë, autoritetet amerikane thanë se kishin hasur në më shumë se 145,000 fëmijë të pashoqëruar, numër ky rekord.

Pothuajse 11,000 nga ata fëmijë mbetën në paraburgim të qeverisë ditën e premte.