15:41 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ndalja e përdorimit të thëngjillit, inspektorati intervenon në një depo

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dy ditë më parë ka marrë vendimin për ndaljen e shitjes së thëngjillit brenda territorit të kësaj komune.

Ky vendim i cili ka filluar të zbatohet dy ditë më parë, është bërë me qëllim të uljes së ndotjes së ajrit.

Kjo komunë, është dakorduar për bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë që të veprojnë bashkërisht në kuadër të planit për inspektimin për shitjen e thëngjillit dhe inspektimin e bizneseve që përdorin thëngjillin si mjet për ngrohje.

Kështu, MMPH gjatë tërë ditës së djeshme i ka pasur inspektorët në terren.

Në një përgjigje për Indeksonline, zyrtar i lartë për Komunikim me Publikun nga kjo ministri, Bajram Kadriu ka thënë se inspektorati gjatë ditës së djeshme nuk ka vërejtur shitje dhe djegie të thëngjillit në asnjë pikë, përveç një depoje ku edhe është intervenuar.

“Ekipet e inspektoreve janë në terren dhe në asnjë pikë nuk kemi shitje të thëngjillit si dhe djegie të thëngjillit ku mund të intervenohet me përjashtim të një depoje ku shitet thëngjilli dhe me procesverbal është urdhëruar që të ndalohet shitja dhe të mbahet sasia e thëngjillit e cila gjendet në depo”, ka thënë Kadriu.

Ndërsa, ai ka sqaruar se edhe gjatë ditës së sotme ekipet e inspektorëve po vazhdojnë të jenë në terren.

“Edhe sot ekipet e inspektorëve janë në terren”, ka shtuar ai.

Ndryshe, përveç ndalimit të shitjes së thëngjillit brenda territorit të komunës së Prishtinës, Komuna ka ndaluar edhe qarkullimin e automjeteve brenda qendrës së qytetit të Prishtinës që nga ora 06:00-22:00./Indeksonline/