MMPH dhe Komuna e Prishtinës gjejnë zgjidhje për uljen e nivelit të ndotjes, ja detajet (Video/Foto)
Ministrja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka thënë se gjatë ditës ka diskutuar me nënkryetarin e komunës së Prishtinës, Selim Pacollin se si të gjendet një zgjidhje rreth uljes së nivelit të ndotjes së ajrit.
Ajo ka bërë me dije se i ka ndarë një subvencion komunës së Prishtinës në mënyrë që të organizohen parkingje jashtë Prishtinës dhe më pas qytetarët të udhëtojnë me trafik urban.
“Konform përgjejgësive dhe kompetencave që kam e kam vënë në pah problemin e ajrit dhe kam kërkuar nga ekspertët e ministrisë që të hartojnë planin e aktiviteteve për veprime afatshkurtra dhe afatgjata. Për disa muaj kemi punuar për të ndikuar bashkarisht në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit. Andaj sot jemi bërë bashkë për të marrë disa veprime konkrete emergjente. Këto janë hapa që i ka hartuar MMPH. Po e ndihmojmë Komunën e Prishtinës me një subvencion për të udhëtuar qytetarët me trafik urban. Edhe task-forca e krijuar sot do të veprojë. Inspektorati i ministrisë sonë të punojë nën inspektimin e të gjitha bizneseve të vogla të cilat i tejkalojnë normat e lejuara të ndotjes, gjithmonë duke u respektuar normalt ligjore”, ka thënë ajo, raporton Indeksonline.
Reshitaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, konkretisht atyre të Prishtinës që të evitojnë mjetet që ngrisin nivelin e ndotjes.
Ndërkohë, nënkryetari i Prishtinës Selim Pacolli ka thënë se gjatë ditës në kryeqytet hyjnë 120 mijë vetura dhe të njëjtat dalin.
Andaj, ai ka thënë se MMPH u ka mundësuar organizimin e parkingjeve jashtë qytetit.
“Organizimi i parkingjeve jashtë qytetit, nuk është e lehtë por do bëjmë zgjidhje çfarë na jepet mundësia. Kemi biseduar se si ta organizojmë këtë çështje. MMPH na ka ndarë një subvencion që të sigurojmë një parking jashtë qytetit dhe t`i sigurojmë qytetarëve futjen në qytet me trafik urban”, është shprehur ai, raporton Indeksonline.
Inspektorët e MMPH-së dhe të Komunës së Prishtinës do të veprojnë bashkarisht në kuadër të planit të krijuar për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, sa i përket inspektimit të bizneseve që përdorin thëngjillin si mjet për ngrohje./Indeksonline/