07:33 / E Enjte, 19 Shtator 2019 / indeksADMonline

Ndalohet qarkullimi i trenave, shkak arrestimi i lokomotivistit, pas vdekjes së një të miture

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave – “Trainkos”, ka njoftuar se të enjten nga ora 05:00 do të ndalohet qarkullimi i të gjithë trenave në vend, ku përfshihen trenat e mallrave dhe ata të udhëtarëve.

Ky vendim, sipas kësaj sindikate, është marrë pas arrestimit të makinistit të trenit të relacionit Pejë – Prishtinë gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës pas aksidentit ku mbeti e vdekur një e mitur në Klinë.

“Më 18.09.2019 në orën 19:30 minuta, është mbajtur takimi i Kryesisë së SPH – “Trainkos” me kryetarë të shoqatave sindikale dhe merret vendimi i mësipërcekur, si pasojë e arrestimit/ndalimit të kolegut tonë, makinistit të trenit 4200 (relacioni Pejë – Prishtinë) të 17.09.2019 nga Policia e Kosovës në mënyrë të padrejtë”, thuhet në njoftimin e kryesisë së sindikatës.

Sipas kësaj sindikate, me arrestimin e makinistit nuk është respektuar Ligji i hekurudhave të Kosovës si dhe rregulloret dhe udhëzimet e tjera administrative. Ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të bëhet lirimi në mënyrë sa më të shpejtë i kolegut të tyre dhe të nisë të respektohet Ligji i hekurudhave të Kosovës.

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave – “Trainkos” thotë se qarkullimi i trenave do të nisë me lirimin e kolegut të tyre nga masa e arrestit.

Ndryshe, të martën, në Klinë, ka vdekur një e mitur si pasojë e lëndimeve që ka marrë nga goditja e trenit.