Ndërron jetë albanologu i shquar, Robert Elsie
Vdes në moshën 67 vjeçare albanologu i shquar, Robert Elsie. I lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70, kur si student në Gjermani, kishte vizituar bashkë me një grup studentësh Tiranën.
Ai do të bëhej vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe në Prishtinë ku dhe do të mësonte edhe të folmen në gegërisht të shqipes, përmes njohjeve me kosovarët.
I dekoruar nga presidenti Bujar Nishani, Robert Elsie ishte autor i dhjetëra librash dhe artikujsh nga fushat e albanologjisë. Po ashtu, ai kishte përkthyer letërsi shqipe në anglisht, sikur poetët Migjeni, Lasgush Poradeci e shkrimtarin Fatos Kongoli.
Ndërkohë ai do të mbahet në mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Elsie kishte përpiluar edhe fjalorë të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Gjithashtu, ai kishte qenë përkthyes gjatë procesit gjyqësor të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq në Hagë, ku kishte përkthyer drejtpërdrejt dëshmitarët shqiptarë.