17:48 / E Martë, 20 Prill 2021 / C E

Ndeshja e Ligës së Parë të Kosovës vendoset në tavolinë, 0-3

Ndeshja në mes të Vushtrrisë dhe Vëllaznimit është vendosur në tavolinë.

Komisioni i Garave për Superligë dhe Ligën e Parë e ka pranuar ankesën e skuadrës nga Gjakova.

Vushtrria fitoi me rezultat 1-0 por në ndeshje kishte inkuadruar një lojtar me katër kartonë të verdhë.

Ky është njoftimi:

REZULTATI ZYRTAR:

Vushtrria 0-3 Vëllaznimi

Vendim i KG-së për ndeshjen Vushtrria – Vëllaznimi Komisioni i Garave për Superligë dhe Ligën e Parë, në mbledhjen e vet të mbajtur me datë 20.04.2021, shqyrtoi ankesën e KF Vëllaznimi nga Gjakova, të parashtruar me datë 19.04.2021 dhe me rastin e regjistrimit të ndeshjeve të javës së 23-të, Grupi ”A”, për ndeshjen ndërmjet KF Vushtrria – KF Vëllaznimi, konform nenit 56, paragrafi 1 i propozicioneve të garave dhe nenit 76, paragrafi 1, pika 2 të Rregullores së Garave, mori këtë:

V E N D I M

1.Aprovohet ankesa e KF Vëllaznimi dhe ndeshja e javës së 23-të, Liga e parë, Grupi ”A”, ndërmjet KF Vushtrria dhe KF Vëllaznimi, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Vëllaznimi.

A R S Y E T I M

Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit te ndeshjes KF Vushtrria – KF Vëllaznimi, java e 23-të, Liga e parë, Grupi ”A”, konstatoi se KF Vëllaznimi ka parashtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të KF Vushtrria me nr.9 Drilon Fazliu, ID nr.007643M00, për arsye se lojtari është aktivizuar në lojë me katër (4) kartonë të verdhë.

Gjatë administrimit të provave KG konstatoi se ankesa është e parashtruar në afatin ligjor, e lejuar, e taksuar dhe i përmbushë të gjitha kushtet për shqyrtim dhe shtjellim nga KG.

Pas verifikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve, KG ka vërtetuar se lojtari i lartcekur ishte i ndëshkuar me katër (4) kartonë të verdhë, në javën e 1, 14, 17 dhe 22-të, për çka është dashur të pushojë në javën e 23-të, andaj KG konstatoi se kemi shkelje të nenit 56, paragrafi 1 të Propozicioneve të Garave dhe neni 76, paragrafi 1, pika 2 të Rregullores së Garave, prandaj ankesa APROVOHET si e bazuar dhe ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Vëllaznimi.