14:35 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ndihmës-trajneri i Prishtinës i bindur për rezultat pozitiv në Danimarkë

Ndihmës trajneri i Prishtinës, Andin Rashica, ka thënë për Insportin se kundërshtari i sotëm i Prishtinës në FIBA Europe Cup, do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë.

KB Prishtina luan sot ndeshjen e tretë në FIBA Europe Cup ku do të përballet me skuadrën daneze Bakken Bears. Në dy ndeshjet e para, ekipi nga kryeqyteti ka arritur dy fitore, kundër ekipit ukrainas Cherkaski Mavpy dhe atij rumun, Steaua Bucuresti.

Rashica tha se ekipi ditëve të fundit nuk ka arritur të kryejë stërvitjet normalisht, por se atmosfera në ekip është e mirë, transmeton IndeksOnline.

“Në pamundësi për të zhvilluar stërvitje normale këto ditë, për shkak se palestra ishte e zënë, poashtu edhe kalendarit jo shumë të volitshëm të udhëtimeve në FIBA Europe Cup, po mbizotëron atmosferë e mirë në ekip”, tha Rashica.

“Prej takimit të fundit në Bukuresht, ekipi ka mbajtur vetëm dy stërvitje, duke e llogaritur stërvitjen sot në mëngjes dhe takimin me Rahovecin”, pohoi Rashica.

Ai po ashtu tha se nuk ka ndonjë lëndim në skuadër, derisa theksoi se ekipi i Bakken Bears është kundërshtar shumë i vështirë, në veçanti kur luan në fushën e vet.

“Asnjëri nga lojtarët nuk ankohet për lëndime. Kundërshtari shumë i fortë, sidomos kur është vendas. Me lojë të mirë ofanzive, 5 ndeshjet e fundit ka shënuar 100 e më shumë pike për ndeshje”, tha ndihmës trajneri i Z Mobile Prishtinës.

“Besoj që secili nga lojtarët do të japë maksimumin dhe do të nxjerrim rezultat pozitiv nga ky takim, edhe pse nuk do jetë aspak e lehtë”, përfundoi Rashica.

Ndeshja ndërmjet Bakken Bears e KB Prishtinës zhvillohet sot me fillim nga ora 18:30, në palestrën ‘Vejlby-Risskov Hallen’ në Aarhus të Danimarkës.