11:59 / E Premte, 27 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ne ditën e tij të fundit në Londër, Greiçevci ul flamurin në gjysmështizë

Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci nuk e kishte paramenduar asnjëherë që dita e fundit e punës së tij në ambasadë do të ishte ulja e flamurit në gjysmështizë, në zbatim të urdhrit të Presidentit të Kosovës, pikërisht për vdekjen e simbolit tonë të Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçi.

Greiçevci ka treguar se si e ka takuar Demaçin për herë të parë në fshatin e tij të lindjes, në Sankovc të Drenasit.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të ambasadorit Greiçevci:

Nuk e kisha paramenduar asnjëherë, që detyra ime e fundit në ambasadë, një ditë para se të kthehem në Kosovë, do të jetë ulja e flamurit në gjysmështizë, në zbatim të urdhërit të Presidentit të Kosovës, pikërisht për vdekjen e simbolit tonë të Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçi.

Si një lloj parandjenje mortore, të mërkurën ishim mbledhur me kolegët e ambasadës dhe familjet tona, në një drekë të fundit së bashku, dhe gjatë bisedës u zu në gojë emri i Bacit Adem, i cili kishte qëndruar në Londër gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe, me energjinë e tij të pashoqe, kishte filluar edhe ta mësonte anglishten. Mua menjëherë mu kthye kujtimi im i parë me të, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, isha nxënës i shkollës fillore. Po iu rrëfeja kolegëve se si në fshatin tonë, Sankovc (tash Flamuras) të Drenasit, më 17 gusht 1990, do të përkujtohej për herë të parë publikisht, bashkëveprimtari i ngushtë i Bacit Adem dhe kusheriri ynë, Fazli Greiçevci, tashmë i dekretuar me Urdhërin “Hero i Kosovës” nga Presidenti i Kosovës.

Fazliu kishte vdekur nga torturat në burg, më 17 gusht 1964, dhe trupi i tij nuk qe lejuar të varrosej në varrezat e fshatit, por ishte vënë në një arkivol të dyfishtë, për t’u lënë i vetmuar në një sokak në dalje të fshatit. Baci Adem kishte vetëm disa muaj që kishte dalë nga burgu dhe lajmi kishte marrë dhenë që ai do të vinte të merrte pjesë në tubimin përkujtimor për mikun dhe bashkëpunëtorin e tij në lëvizjen ilegale, Fazli Greiçevci. Më kujtohet që në ditën e përkujtimit, fshati ynë ishte vërshuar nga të gjitha anët e Kosovës, ishin me dhjetëra mijëra njerëz që po e prisnin Bacin Adem, të ekzaltuar. Ky do të ishte një ndër tubimet e para publike në Kosovë në të cilin do të merrte pjesë ai, pas daljes nga burgu. Nuk do ta harroj asnjëherë çastin kur ai arriti me një makinë dhe zbriti nga ajo. Masa ishte aq e elektrizuar, sikur ta priste një profet. Ende i kam të freskëta skenat kur tërë masa filloi të qante kur Baci Adem zbriti nga makina. Atëherë nuk e kuptoja saktësisht pse ndodhte kjo, që aq shumë burra e gra të rritur derdhnin lot masivisht nga emocionet.

Mua ma kishin dhënë një detyrë që ta recitoja një poezi patriotike gjatë programit, dhe për të hyrë në rol, kisha vënë një plis në kokë, i cili më kishte hyrë i tëri në kokë. Mu kujtua që, në një çast, Baci Adem po kalonte fare afër meje, më shikoi me dashuri dhe u afrua dhe ma ndreqi plisin në kokë. Edhe sot më duket se po e ndjej elektrizimin që ma kishte përshkruar ai gjest në trup. Më vonë e kisha takuar edhe herë të tjera, në cilësi të tjera. Dhe çdo herë e shikoja me po atë admirim, si herën e parë. Të tillë edhe do ta kujtoj përherë!

Pusho i qetë në tokën e Kosovës, Baci Adem. Simboli ynë!