22:00 / E Diele, 04 Dhjetor 2022 / AR

Në ditët kundër dhunës, Luana jep mesazhin e fortë për vajzat

Mbrëmjen e sotme në spektaklin gjigant të argëtimit “Zemer Luana” autorja dhe moderatorja Luana Vjollca dha një mesazh mjaft të fortë e të rëndësishëm për të gjitha vajzat në këto 16 Ditë të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore një Fushatë Globale që fillon në 25 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave dhe përfundon në 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Projekti “Thuaje” është një nismë e moderatores e cila ka frymëzuar shumë njerëz, pasi temat që ajo trajton janë plagë të shoqërisë që shumë persona e gjejnë veten. Këtë herë Luana vendosi që këtë nismë ta sjellë edhe në programin në autorësinë e saj në Tv Klan.

Moderatorja gjithmonë është treguar mbështetëse ndaj vajzave, grave në nevojë, të dhunuara psikologjikisht apo fizikisht. Në këtë mbrëmje autrorja Vjollca e krahasoi “gruan” me një lule e cila ka nevojë të ujitet, ka nevojë për përkujdesje, për dashuri dhe ashtu siç nuk ja keni dhënë ju jetën s’ia merrni dot ju”, duke vënë në fokus ndodhitë e fundit në vendin tonë kur shumë vajza janë vrarë nga partnerët e tyre.
Mesazhi i saj ishte për të gjithë, për të gjitha gratë që ta duan e respektojnë veten si edhe për të gjithë njerëzit që ndihen në situata të vështira.
Madje në projektin e saj “Thuaje” ajo u ka dedikuar dhe këngën “ISHA”, të cilën e performoi në skenën e “Zemër Luana” për herë të parë, e rrethuar me shumë vajza.

Me këtë këngë përcolli mesazhin e fortë që vajzat ta mbështesin e ta duan fortë njëra-tjetrën. Mbi të gjitha autorja theksoi dhe bëri thirrje që të ndalojë dhuna kundër vajzave dhe t’i trajtojnë ato njësoj si do të donin t’i trajtonin nesër vajzat e tyre.