07:12 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020

44 për qind rënie të rasteve me Covid-19, gjatë 2 javëve të fundit, pritet lirim i masave

Në dy javët e fundit në Kosovë situata epidemiologjike me virusin Corona është përmirësuar dukshëm.

Sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në dy javët e fundit ka pasur rënie të rasteve të reja me koronavirusin për 44 për qind.


Kjo mund të vërehet edhe në statistikat ditore të rasteve të reja, testimeve dhe numrit të pacientëve të shëruar.

Gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë nga 503 persona të testuar në IKSHPK-ja dhe laboratorët privatë kanë rezultuar 66 raste pozitive me koronavirusin dhe nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes.

Numri total i rasteve pozitive është 15.208 raste nga 63.110 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 615 raste të vdekjes.

Në këtë 24-orësh, në Kosovë janë shëruar edhe 141 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është 12.815 raste.

Së këndejmi, numri i rasteve aktive ka rënë në 1.778.

Ndërkohë, sot është diskutuar se ditët në vijim mund të ketë lirim të masave antiCovid pas ankesave të shumta nga bizneset dhe qytetarët për kufizim të orarit të lëvizjes dhe orarit të punës.

Rastet e fundit pozitive janë nga: komunat: Prishtinë 22 raste, Gjilan 8 raste, Deçan 7 raste, Ferizaj 5 raste, Podujevë 5 raste, Fushë- Kosovë 3 raste, Kamenicë 3 raste, Pejë 3 raste, Gjakovë 2 raste, Suharekë 2 raste dhe me nga një rast komunat: Drenas, Istog, Klinë, Kllokot, Rahovec dhe Vushtrri.