12:28 / E Shtunë, 22 Maj 2021 / B O

Në fundjavë organizohet “Drag Race”, i pari sivjet

Të shtunën e të dielën, më 22 dhe 23 maj, do të organizohet gara e parë “Drag Race” për sivjet në pistën e vjetër të Aeroportit në Sllatinë, ka njoftuar Federata e AutoSportit të Kosovës.

Sipas një njoftimi nga FASK-u, janë bërë shumë punë gjatë ditëve të fundit për të qenë gjithçka gati për “spektaklin e madh”.

Kjo federatë ka thënë se interesimi për pjesëmarrje është i madh me garues edhe nga diaspora.

Paraqitja në garë dhe pajisja me numra startues do të bëhet nga ora 09:00 deri në orën 10:30 të shtunën. Kualifikimet fillojnë në orën 13:00.

Gjatë të shtunës pritet të mbahet edhe gara zyrtare për klasat 16, 15 dhe 14 për të tri divizionet (FWD, RWD dhe AWD).

Ndërsa, të dielën prej orës 10:00-10:45 mbahet brifingu me garues derisa në orën 11:00 nis gara për klasat 13, 12, 11…

“Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve dhe Ndihma e Shpejtë do të jenë të pranishëm për çdo eventualitet, ndërsa për fituesit e të tri divizioneve, Eurogoma do të ndajë nga një set gomash”, ka njoftuar FASK-u.