12:54 / E Diele, 09 Qershor 2019 / indeksADMonline

Në Kalanë e Tiranës prezantohen vlerat e traditës beratase

Në ambientet e “Kalasë së Tiranës” u prezantuan vlerat më të mira të traditës beratase.

Trashëgimia kulturore erdhi pranë vizitorëve, të cilët ndoqën me shumë vëmendje ekspozitën fotografike, panairin e artizanatit si dhe këngët e vallet origjinale beratase.

“Dita e Beratit” shënjon një ngjarje të rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve kulturore të Bashkisë së Beratit, ku arti, tradita, kultura jonë, udhëtojnë për të shpalosur historinë e vet në “Kalanë e Tiranës”, në të cilën promovohen disa nga vlerat më të mira të trashëgimisë sonë.

Ky aktivitet u përfaqësua nga Kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, dhe Nënkryetarja, Afize Skëndo, të cilët falenderuan mikpritësit e “Kalasë së Tiranës” për mundësinë që i krijojnë evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore.

Përfaqësuesja e Familjes Toptani, Klodjana Toptani, tha se evente të tilla do të vazhdojnë të gjallërojnë ambientet e “Kalasë së Tiranës” për të pritur dhe promovuar çdo lloj iniciative të re, ku dalin në pah vlerat më të mira të traditës dhe kulturës shqiptare.

Ky aktivitet u organizua nga bashkia e Beratit në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani”, Qendrën e Artizanatit “Margarita” dhe Qendrën Tregtare “Kalaja e Tiranës – Familja Toptani”./ATA/