07:25 / E Premte, 12 Korrik 2019 / indeksADMonline

Në Kosovë shënohet Dita e Popullsisë

Me rastin e Ditës Botërore të Popullsisë, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA Zyra në Kosovë organizon tryezën me temën globale “Çka ka ndryshuar?” “Ku kemi qene?” “Ku jemi?” dhe “Ku synojmë të shkojmë?”.

Dita Botërore e Popullsisë është një ngjarje e përvitshme e cila synon të fokusojë vëmendjen në urgjencën dhe rëndësinë e çështjeve të popullsisë siç janë planifikimi familjar, barazia gjinore, varfëria, shëndeti i nënave dhe të drejtat e njeriut.

Viti 2019 është vit jubilar në disa aspekte për UNFPA-në pasi që këtë vit shënohet 50-vjetori i formimit të UNFPA-së në OKB, pastaj 25-vjetori i mbajtjes së Konferencës Ndërkombëtare për Popullsi dhe Zhvillim që është mbajtur në Kajro në vitin 1994 dhe që është platforma e mandatit të UNFPA-së dhe është 20-vjetori i punës së UNFPA-së në Kosovë.

Kjo tryeze do të mbledhë panelistë dhe akterë tjerë nga institucione të ndryshme si Ministria e Shëndetësisë (MSH), Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), OJQ, etj. që do të flasin se çka ka ndryshuar në Kosovë në fushën e shëndetit dhe të drejtave riprodhuese, planifikimit familjar, çështjeve gjinore, të dhënave mbi popullsinë etj., për këto 25 gjegjësisht 20 vite.

Në kuadër të kësaj dite nga ora 20:00 do të mbahet edhe një shfaqje mbi fuqizimin e të rinjve te obelisku Newborn.