75 Mall Live Search
22:53 / E Premte, 06 Maj 2022 / OSH

Në Kosovë, të mbijetuarat e dhunës në familje përballen me problemet e riintegrimit

Në Kosovë gratë e mbijetuara të dhunës në familje kanë të drejtë qëndrimi në strehimore për gjashtë muaj.

Veprimtarët e kësaj fushe thonë se kjo është kohë e pamjaftueshme për të siguruar pavarësimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, që konsiderohet ndër sfidat më të mëdha.Drita, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë, por është ndryshuar për shkaqe sigurie, ishte martuar sapo kishte mbushur 18 vjeç.

Ajo thotë se në vitin e parë të martesës gjithçka shkonte mirë, por pas lindjes së vajzës, burri i saj kishte filluar të ushtronte dhunë fillimisht psikologjike e më pas edhe fizike ndaj saj.

“Fillimisht ka nisur të më godasë me shuplakë, pastaj me rrip, siç i vinte në mendje të më rrihte ashtu më rrihte. Më ka larguar prej shtëpisë, pastaj unë kam shkuar në një kafene dhe e kam lutur kamerierin që ta lajmëroj policinë dhe ata erdhën më morën”, rrëfen ajo, për Zërin e Amerikës.

Drita ka përfunduar vetëm shkollën fillore, nuk ka profesion e as punë. Në mungesë të mundësive të tjera, ajo ka duruar dhunën e burrit për tri vitet e fundit. Brenda këtyre viteve ajo është kthyer tri herë në një shtëpi të sigurtë për gratë që përjetojnë dhunë në familje.

Në shtëpinë ku ndodhet tani, Drita po përpiqet të mësojë punë dore, për të siguruar një zanat nëpërmjet të cilit shpreson që të pavarësohet financiarisht në të ardhmen dhe të mos jetë e detyruar të kthehet sërish te burri apo në strehimore.

“Uroj që ëndrra ime të bëhet realitet, që me këto punë dore të cilat i kam mësuar këtu dhe që i kam ditur disa në shtëpi, ta hapi një dyqan e të filloj punën”, thotë ajo.Në Kosovë janë dhjetë shtëpi të sigurta të cilat strehojnë gratë e mbijetuara të dhunës në familje dhe fëmijët e tyre.