08:33 / E Mërkurë, 30 Shtator 2020 / indeksADMonline

Në kulmin e tensioneve për kufijtë detare Flota Shqiptare kryen stërvitje në detin Jon

Teksa ndodhemi në brigjet e Karaburunit, grupi i xhirimit të TCH pikas disa momente të veçanta. Anijet e Flotës Ushtarake Shqiptare kanë dalë në patrullim. Është interesante të shohësh anijet kryesore të flotës të dalin në patrullim në këtë periudhë tensionesh për kufijtë detarë.

Kishte kohë që mungonte kjo lloj stërvitje që përfshin thuajse të gjithë kapacitetet e flotës shqiptare. Ky mesazh mobilizimi duket diçka krejt legjitime në këto kohë tensionesh, edhe pse, flota shqiptare duket larg së qenit dinjitoze.

“Sot pamë një stërvitje që nuk më mallëngjeu por më zgjoi shpresën që Shqipëria do ketë flotë dinjitoze. Pamë stërvitje të lehtë të 5 anijeve, unë e kuptoj formacionin, bëjnë mirë flota që patrullon. Deti shqiptar është pasuri e shtetit shqiptar”, tha Vladimir Beja.

Aty në breg, janë ende gjurmët e fortifikimit të kufijve gjatë regjimit komunist. Një numër kaq të madh bunkerësh dhe stacionesh zjarri artilerie është e rrallë ta gjesh diku tjetër.

“Kam shërbyer 13 vite 6 muaj në Sazan, ku 8 vite kam qenë komandant I grupit anijeve të mbrojtjes detit territorial. Vetëm në Sazan kishim 12 karro-silurues dhe 6 anije, do ti quaja moderne për kohën që mbikqyrnin detin territorial. Këtu ku jemi do shihni mbeturinat e një baterie të fuqishme që hidhte predhën barabar me 12 milje detare”, tha tutje Beja.

Gjatë regjimit komunist, Shqipëria kishte përcaktuar me ligj 15 milje det territorial, që ishte kontestuar nga Shtetet e Bashkuara. Në vitet 1983-1986 disa fregata amerikane kishin matur pulsin e regjimit të kohës duke lundruar paralel me brigjet shqiptare, në largësi prej 12.5 miljesh.

“U shkel statusi i ujërave territorial në atë rripin prej 3 miljesh, dhe unë kam qenë punonjës i Ministrisë së Jashtme, dhe jemi informuar që ca do bëjmë? S’do bënim marrëzira të godisnim një anije, fregatë amerikane”, tha Ksenofon Krisafi.