22:40 / E Enjte, 29 Korrik 2021 / A K

​Në Lushnjë, vrasin kushëririn pas sherrit për tokat

Policia e Shtetit shqiptar ka arrestuar dy autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Garunjas të Lushnjës, ku mbeti i vrarë një 30-vjeçar.

Afrim Hasalla dhe Mario Hasalla janë vënë nën pranga, ndërkohë që është ende në kërkim Kastriot Hasalla.

“Si rezultat i kontrolleve të pandërprera gjatë ditës së sotme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, është bërë e mundur kapja e dy prej autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim, shtetasit M. H., 20-vjeç dhe A. H., 42-vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë është bërë arrestimi i tyre për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e shtetasit K. H.”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton tch.

Ngjarja ka ndodhur kur Shaip Hasalla, Emiliano Hasalla, Laert Hasalla, Romeo Hasalla janë konfliktuar me kushërinjtë e tyre Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla, pasi që prej vitesh të dyja palët kanë qenë në një konflikt për një sipërfaqe toke.

Romeo Hasalla 30-vjeç humbi jetën, ndërsa u plagosën i ati i tij, Shaip Hasalla 65-vjeç dhe vëllezërit Emiljano Hasalla e Laert Hasalla.

Disa ditë më parë midis tyre ka pasur një konflikt verbal, ndërsa mëngjesin e sotëm u përdoren edhe armët. Romeo Hasalla ka shkuar bashkë me vëllezërit dhe babanë për të frezuar tokën, por në këtë moment kushëriri i tyre, Kastriot Hasalla tentoi t’i ndalojë dhe qëlloi me armë gjahu.