12:12 / E Premte, 08 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Në PZAP dorëzohen 100 ankesa, nga subjektet politike dhe kandidatët

Nga dita e djeshme kur edhe është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dorëzuar 100 ankesa, nga partitë politike dhe kandidatë për deputetë.

Kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku, tha se deri tashti janë paraqitur gjithsej 100 ankesa.

Prinë Partia e Pavarur Liberale (SLS) me gjithsej 42 ankesa, derisa për nga numri i ankesave e dyta radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me gjithsej 23 ankesa.

“Deri tashti janë dorëzuar në PZAP apo subjektet politike, kandidatët e tyre i kanë dorëzuar gjithsej 100 ankesa. SLS-ja ka dorëzuar më së shumti ankesa 42, Lidhje Demokratike ka dorëzuar 23, Partia Demokratike ka dorëzuar 12 ankesa, koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 ankesa, Lëvizja Vetëvendosje 5 një parti tjetër serbe – PKS ka dorëzua 4 ankesa dhe disa parti të vogla me dy apo një ankesë”, tha Desku.

Desku tha se kryesisht natyra e ankesave ndërlidhet me mospërputhje të rezultateve, derisa theksoi se prijnë kandidatët për nga numri i ankesave.

“Kryesisht kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve mospërputhjen e rezultateve, mungesa e votave kryesisht kjo është natyra e ankesave… Ka edhe të subjekteve, por ka edhe të kandidatëve për shembull te SLS-ja të gjitha ankesat 42 sosh janë prej vetë subjektit. Edhe te Nisma ka edhe të subjektit edhe të kandidatëve pjesa tjetër mund të themi se është e kandidatëve”, deklaroi ai.

Sekretari i PZAP-it për KosovaPressin tha se Paneli Zgjedhor ka kohë 72 orë që t’u jap përgjigje palëve të ankuara.

Pas pranimit të vendimit nga PZAP-i, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatën Supreme brenda 24- orëve.

“Paneli është i obliguar që brenda 72- orëve të shqyrtojë, vendosë dhe të marrë vendime dhe me vendime t’i njoftojë palët. T’u përgjigjet palëve brenda 72- orëve, ndërsa ndaj vendimeve të PZAP-it kushdo që është i pakënaqur mund t’i kundërshtojë këto vendime në Gjykatën Supreme brenda 24- orëve”, u shpreh Desku.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Komisionit Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit ku prinë Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 220 mijë e 811 vota, apo shprehur në përqindje 26.159 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 206 mijë e 458 vota apo 24.458 për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka 178 mijë e 645 vota apo 21.163 për qind, AAK-PSD ka marrë 96 mijë e 883 vota apo 11.477 për qind, Lista Serbe 57 mijë e 15 vota apo 6.754 për qind, Nisma Socialdemokrate- Aleanca Kosova e Re- Partia e Drejtësisë ka 42 mijë e 72 vota apo 4.984 për qind.