19:24 / E Enjte, 29 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Në Skënderaj, u përurua fusha e re e futbollit

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili po shoqërohej nga nënkryetari Agim Dibrani, anëtari i KE Xhelal Broja, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe shumë zyrtarë të FFK-së, bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi dhe nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, sot, kanë prerë shiritin inaugurues të fushës së futbollit me bari artificial në Skenderaj e para nga 12 fushat sa do të ndërtohen në tërë Kosovën për 12 skuadrat e Superligës së Kosovës.

Me këtë rast para të pranishmëve, drejtuesve të Komunës së Skenderajt, të klubit, të futbollistëve e futbollisteve, deputetëve të parlamenti të Kosovës dhe qytetarëve të Skenderajt, presidenti Ademi, tha:

“Është kënaqësi dhe nder i veçantë që në kuadër të festave të nëntorit ta bëjmë përurimin e fushës së futbollit, pikërisht në Skenderaj, që të nisim këtu e të vazhdojmë edhe në komunat tjera. Ky është një investim i përbashkët i FFK-së, Ministrisë së Sportit dhe komunës së Skenderajt. Ne do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë që të krijojmë kushte sa më të mira për skuadrat e Superligës sonë”.

”Unë dua t’i falënderoj të gjitha ata që ishin pjesë e këtij projekti, institucionet e Kosovës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, komunën e Skenderajt, punëkryesin që ka punuar me përkushtim dhe me kohë që ne sot ta kemi një fushë që përmbushë të gjitha kriteret ndërkombëtare madje do të thosha si të rralla në rajon”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, duke përgëzuar presidentin Ademi për këtë investim, ka thënë: “Ne do të vazhdojmë të mbështesim FFK-në dhe futbollin e Kosovës në përgjithësi. Do të mbështesim djemtë e Kombëtares që po na bëjnë krenar, do të ndajmë edhe më shumë mjete që i shpërblejmë dhe t’i inkurajojmë për rezultate edhe më të mira”.

”Do të ndërtojmë edhe një stadium kombëtar në Drenas, që do të jetë më i bukuri jo vetëm në rajon por edhe në Evropë”. E nga ana e tij ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në fjalën e tij të rastit u shpreh:

”Ky është fillimi dhe unë besoj që deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, do t’i kemi 12 fusha të gatshme për 12 skuadrat e Superligës sonë dhe do të vazhdojmë me mbështetje maksimale për futbollin e Kosovës”./IndeksOnline/