14:36 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Nën kërcënimin e armës vodhi 500 euro në një pompë derivatesh në Gjilan, dënohet me burgim e gjobë!

Gjykata Themelore e Gjilanit ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarit A. I., duke i shqiptuar dënim prej katër vjet burgim efektiv dhe me gjobë prej 5000 eurosh.

“I akuzuari më 29.10.2018, rreth orës 02:00, në pompën e benzinës “Veda Com” në fshatin Pasjan, Komuna e Parteshit, në bashkëveprim me dy të pandehur të tjerë me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete,  të armatosur dhe të maskuar nën kërcënim armësh kanë kryer grabitjen, fillimisht kanë sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pompe dhe më pas marrin 500 (pesëqind) euro, më pas duke ikur me veturë nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.

Me këto veprime i akuzuari A. I., “në bashkëveprim ka kryer veprën penale grabitje”, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërkohë ka veçuar procedurën penale ndaj dy të pandehurve K. R. dhe B. M.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./Indeksonline/