75 Mall Live Search
19:51 / E Mërkurë, 25 Qershor 2025 / Z S

“Concentrix” edhe në Prizren – një dekadë lider në tregun global

Nën rrezet e diellit dhe buzë maleve të Sharrit, sot u zgjerua rrjeti i një prej kompanive më të mëdha në botë për teknologji dhe shërbime për klientë – CONCENTRIX.

Ceremonia hapëse e degës së “Concentrix” në Prizren u shoqërua me këngë, valle tradicionale dhe më e rëndësishmja, me shumë entuziazëm nga qindra punëtorë që janë bërë pjesë e familjes së madhe në Kosovë, tash e një dekadë.

Tingujt e violinës i paraprinë fjalimit hyrës të drejtorit të përgjithshëm të “Concentrix” për Ballkanin Perëndimor, Oliver Derler, i cili tha se është krenar me arritjet e kompanisë në Kosovë dhe vullnetin e punëtorëve për të kontribuar në suksesin e përbashkët.

“Tri javë më parë, me krenari hapëm zyrën tonë të re në Mitrovicë dhe sot jam thellësisht krenar dhe i nderuar që jam këtu me ju, ndërsa shënojmë një tjetër arritje të suksesshme. 10 vjet më parë filluam udhëtimin plot vizion, vendosmëri dhe besime të palëkundura se mund të ndërtonim më shumë sesa thjesht kompaninë – mund të ndërtonim një komunitet, një familje.

Nga një zyrë qyteti në Ballkan, ne jemi zhvilluar në 10 lokacione të forta në të gjithë Kosovën, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Rritja nuk ka të bëjë vetëm me numrat dhe sipërfaqen. Ka të bëjë me jetët që kemi prekur, pengesat e kapërcyera dhe trashëgiminë që vazhdojmë të krijojmë së bashku.

Në zemër të këtij suksesi ka më shumë se 2500 njerëz të jashtëzakonshëm të apasionuar, të talentuar dhe të përkushtuar për përsosmëri. Falë tyre, ne jemi vlerësuar pesë herë si punëdhënësi më i mirë i Kosovës. Kjo njohje është një pasqyrim i vlerave tona – vlera që i vënë njerëzit në radhë të parë”” deklaroi me krenari Derler.

Drejtoresha e Asociuar e Operacioneve, Aurora Gumnishta-Rama shfaqi ndjenjen e nostalgjisë dhe të krenarisë kur kujtoi se si ky staf dhe qyteti i Prizrenit u shndërruan në familje për të. 

“Mund të them me bindje se që nga dita ime e parë në këtë udhëtim, Prizreni ka qenë shtëpia ime profesionale. Ky qytet dhe ky ekip kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin tim profesional dhe personal. Këtu kam gjetur më shumë se punë – kam gjetur njerëz të jashtëzakonshëm, një ekip të palodhshëm dhe një komunitet që ka frymëzuar çdo ditë”, deklaroi Gumnishta-Rama.

Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kjo jo veëtm se është një mundësi e mirë punësimi, por edhe i plotëson qëllimet për të cilat është angazhuar qeveria, e që janë kushte më të mira të punës dhe mundësi për punësim të denjë.

“Kjo rritje e qëndrueshme nuk është vetëm një sukses për kompaninë tuaj. Është një sinjal i qartë besimi në klimën e biznesit dhe ekonomisë së Kosovës. Gjatë katër viteve të fundit, qeveria jonë ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për të hedhur themelet për një ekonomi të qëndrueshme, transparente dhe miqësore ndaj biznesit.

Sot, Concentrix po thellon praninë e saj në Kosovë. Jo vetëm duke krijuar vende të reja pune, por edhe duke kontribuar në mënyrë aktive në zhvillimin e një ekonomie model shërbimesh në qytetet tona. Ju po ndihmoni në formësimin e një kulture të re pune – një kulture që u jep njerëzve mundësi në qytetet ku jetojnë” deklaroi Kurti.

Dhjetëra punëtorë të kompanisë, që është e pranishme në më shumë se 70 vende dhe numëron mbi 2000 klientë besnikë, ishin të buzëqeshur teksa hynin në derën e mundësive të jashtëzakonshme të punës. Për ta, ky rrugëtim është i shënuar dhe i papërsëritshëm.

Festa vazhdoi edhe ca, me mundësinë e të pranishmëve për të njohur njëri-tjetrin, për të shkëmbyer biseda dhe këndvështrime, dhe për të regjistruar në kujtesën e tyre një sukses të padiskutueshëm.

Për më shumë, ndiqni reportazhin e plotë: