23:46 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Nënkryetari dhe poeti i PDK-së publikon poezinë e re – përmend agjentët e SHIK’ut

Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti  i cili kohë pas kohe i përkushtohet edhe krijimtarisë letrare, së fundmi ka sjell një poezi të titulluar ‘Ik’.

Poezia e plotë:

Rexhep Hoti – Ik!

Dua të çohem prej këtij vendi,
S’dua ta trishtoj me vetminë time;
Gjethet nuk ledhatohen në luhatje prej erës,
Zhaurima e mban qetësinë,
Vyshkja ka ndaluar prej stinës
Fryma qiellore është ngrirë
Në brengën time!

Si të bëj tutje drejt dimrit me pabesinë tënde!
Nuk e duron as prekjen e fjalës në gjoks;
Pasqyra e Borëbardhës ta ndrittë shpirtin!
Ti shpejton të hedhësh make up me shqetësim,
Si të ishte ajo cipë e bukurisë,
Ndëshkimi im!

Largohem me vetminë e harrimit!
Nuk më vjen nga prapa as malli i kujtimeve;
S’ka qortime prej teje
Vetëm dy shkronja i shoh të më përcjellin,
Si agjentë të ShIK-ut,
Më formësohen para syve me përçmim:
Ik!

Eci nëpër vjeshtë i mbështjell me gëzofin e pikëllimit!
E hidhur me përcjellë ajo këngë
Me kitarë, me qeshje me lot;
S’e dinë akoma poetët,
Magjinë që ti ke në gjoks;
Fjalët i ke lënë pa kohë kur të kanë prekur nga epshi
E kërshëria ime s’ është më
As e gjallë, as e vdekur!
Më vjen si një barrë e padëshiruar e vajzës,
Mërzinë ma mbjellë në kokë!

Prishtinë, tetor, 2018