75 Mall Live Search
15:20 / E Hënë, 11 Maj 2026 / S Z

Nënkryetari Gola në seminarin e AP të NATO-s në Romë

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Ardian Gola, po merr pjesë në punimet e Seminarit Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po zhvillohet në Parlamentin Italian në Romë, organizuar bashkërisht nga Grupi Special për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme (GSM) dhe Nënkomiteti për Partneritete të NATO-s (PCNP).

Në njoftimin për media bëhet e ditur se Republika e Kosovës në këtë seminar po përfaqësohet nga një delegacion i udhëhequr nga nënkryetari Ardian Gola, në përbërje të të cilit janë edhe zyrtarja e Lartë për Marrëdhënie Ndërkombëtare Shumëpalëshe në Kuvendin e Kosovës, Donika Bunjaku, si dhe këshilltari politik i Kryetares së Kuvendit, Glauk Tahiri.

Seminari ka mbledhur parlamentarë nga vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere për të diskutuar sfidat kryesore të sigurisë që prekin Krahun Jugor të Aleancës, stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Sahelit.

“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum të rëndësishëm nënvizon angazhimin e saj aktiv në dialogun ndërkombëtar për paqe dhe siguri. Gjatë sesioneve po diskutohen tema si mbrojtja ndaj kërcënimeve hibride dhe terrorizmit, siguria energjetike dhe detare në Mesdhe, si dhe bashkëpunimi ndërparlamentar për menaxhimin e krizave rajonale. Prania e delegacionit të Kuvendit të Kosovës rikonfirmon aspiratat e vendit për integrim euro-atlantik dhe rolin e tij si partner i besueshëm për stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Në margjina të seminarit, delegacioni i Kuvendit zhvilloi shkëmbime me përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, parlamentarë nga vendet aleate dhe partnere, si dhe ekspertë të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare.