19:07 / E Enjte, 28 Maj 2020 / indeksADMonline

Nënkryetari i PDK-së thotë se test-protesta e VV-së është sulm ndaj Kushtetueses

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, duke iu referuar test-protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se vetëm në shtetet me regjime autoritare mund të organizohen protesta nga partitë në pushtet.

Sipas tij, shembujt janë të shumtë kudo në botë kur protestat përdoren si instrumente të fundit për të qëndruar dhe mbajtur pushtetin në mënyrë të dhunshme.

“Kosova sot përjetoi vetëm tronditjen e parë të shkundjes së demokracisë dhe rendit të saj kushtetues që duke u thirrur në të drejtat e qytetarëve për të protestuar po shantazhon dhe kërcënon pavarësinë e pushteteve të tjera sikurse ai i gjyqësorit”.

“Është e papranueshme dhe e rrezikshme një protestë sot në kohën kur Gjykata Kushtetuese është mbledhur për të kryer punën e saj profesionale. Ky është sulm i drejtpërdrejt ndaj punës, integritetit dhe pavarësisë të secilit anëtar të Gjykatës, e mbi të gjitha ndaj demokracisë tonë”.