Nënshkruhen dy marrëveshje me Hungarinë
Kosova dhe Hungaria nënshkruan sot dy marrëveshje për bashkëpunim dhe ndihmë juridike ndërkombëtare ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë.
Marrëveshjet u nënshkruan nga ministri i Drejtësisë së Kosovës Abelard Tahiri dhe homolgou i tij hungarez László Trócsányi.
Marrëveshjet kanë të bëjnë me traktatin për ekstradim dhe traktatin për transferim të personave të dënuar.
Gjatë takimit, ministri Tahiri e njoftoi ministrin Trócsányi me funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, përpjekjet për zbatimin e reformave në fushën e drejtësisë, forcimin e zbatimit të ligjit, si dhe për masat kundër dukurive negative në shoqëri.
Nga ana e tij, ministri hungarez vlerësoi përpjekjet e institucioneve të Kosovës për zbatimin sa më me efikas të ligjit kundër të gjitha formave të shkeljes së tij, angazhimin e tyre për reforma të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë në harmoni me ligjet më të avancuara të BE-së. /Indeksonline/