16:57 / E Hënë, 12 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, kursehen 12 milion euro

Është nënshkruar kontrata për ndërtimin e autorrugës Prishtinë-Gjilan. Këtë e ka bërë të ditur vetë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, përmes një postimi në facebook.

Nënshkrimi i kësaj kontrate është bërë në prani të dy deputetëve të Gjilanit, Zenun Pajaziti dhe Ahmet Isufi dhe zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës.

Lekaj ka thënë se nga çmimi fillestar që ishte me parë, Kosova ka kursyer 12 milion euro.

Ky është postimi i plotë :

Në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik të Republikës së Kosovës, në prezencën e dy deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që vijnë nga Gjilani, Zenun Pajaziti dhe Ahmet Isufi, bashkëpunëtorëve të mijë dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, sot nënshkruam kontratat e operatorëve ekonomik për ndërtimin e autorrugës, A 7.1, Prishtinë – Gjilan. Kjo nënkupton që ne shumë shpejt do të fillojmë punimet në materializimin e këtij projekti shumë domethënës për Gjilanin, por edhe për Kosovën dhe lidhjen e saj me korridore.

Nga çmimi fillestar për ketë projekt, buxhetit të Republikës së Kosovës i janë kursyer mbi 12 milion euro, të holla këto që tashmë mund të alokohen për projekte të tjera. Po ashtu nga sa janë planifikuar të shpenzohen si çmim i projektit, mbi 41 milion euro më pakë kushtojnë kontratat e tetë operatorëve ekonomik.

Ashtu siç e kam thënë nga fillimi, nuk kemi ardhur në qeveri, respektivisht në Ministrinë e Infrastrukturës për të bllokuar asnjë projekt mbi baza elektorale e partiake, siç na janë referuar ish-qeveria në vazhdimësi, që sot janë në opozitë. Do të jemi të barabartë për të gjitha komunat dhe tërë Kosovën do ta trajtojmë njëjtë në kuptimin e shpërndarjes së projekteve infrastrukturore.

Për Gjilanin dhe qytetarët e saj kjo rrugë nënkupton, komunikim me të shpejt ekonomik e fizik me të gjithë vendin.

Andaj, urime Gjilan!