11:01 / E Martë, 15 Shtator 2020 / indeksADMonline

Nëse s’plotësohen këto kushte policia s’do të ndalë qytetarët për maska

Kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, derisa po mbahet mbledhja e Komisionit parlamentar për siguri, ka qenë e vendosur në kërkesat e policëve të Kosovës që edhe ata të përfshinë në paketën emergjente, sikurse mjekët, raporton IndeksOnline.

Në të kundërtën Kamberi ka kërcënuar se policët do të dalin për të kryerë punën e tyre, por se nuk do të merren me shqiptim dënimesh për qytetarët që nuk respektojnë masat anticovid.

Ajo ka thënë se Qeveria e vendit i ka dërguar deri në këtë pikë ku ata më nuk dinë se si t’ia bëjnë.

“Ne do të dalim në detyrë, por s’do të merremi me dënime. Na keni pru deri në atë nivel, që t’i çojmë duart.

Të bëhet paketa emergjente për policinë, e jo vetëm për shëndetësinë. Pjesa tjetër është edhe për maskat. Maskat janë duke i blerë nga xhepi i vet policët nga 395 euro paga”, tha Kamberi.

Sipas saj është shokuese të thuhet se Policia e Kosovës nuk po e bën punën e vet.

“Deklarata shokuese që policia nuk po e bën punën e vet. Ai e ka të drejtën që të marrë masa. Nëse ne nuk po e bëjmë punën, ai të marrë masa”, tha ajo para anëtarëve të komisionit.