19:35 / E Diele, 22 Nëntor 2020

Nesër hapet pavioni i tretë i spitalit COVID-19, në Shqipëri

Për shkak të mbushjes së kapaciteteve spitalore, nesër pritet të hapet pavioni i tretë i spitalit COVID-3.

Ky pavion ka në dispozicion rreth 35-40 shtretër, ndërsa brenda javës pritet të hapet dhe spitali COVID-4 për të përballuar fluksin e të infektuarve me Covid. Lajmi raportohet nga mediat, pak orë pas thirrjes së një mjeku te Sanatoriumi, i cili i kërkonte Komitetit të Ekspertëve dhe qeverisë që të hapnin spitalin Covid 4, për shkak të mungesës së vendeve në pavione, duke çuar në trajtimin e pacientëve në autoambulanca.

COVID-4 do të ketë kapacitet për 100-110 pacientë fillimisht, dhe më pas në varësi të situatës mund të përballojë deri në 140. Në katin e parë të këtij spitali, ndodhën 10 shtretër të cilët do të shërbejnë për terapinë intensive.

Rastet me Covid në vend janë rritur, ndërsa dje u shënuan 737 raste të reja dhe 13 humbje jete.