21:02 / E Premte, 14 Janar 2022 / OSH

Nesër mblidhet LDK-ja/A do të marrin pjesë në seancën për referendum?

kryesia ldk xhafer tahiri

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës kanë ndarë mendjen për seancën e nesërme të jashtëzakonshme në Kuvend.

Por të pavendosur janë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë të ditur se akoma nuk kanë vendosur se a do të marrin pjesë në seancën e thirrur nga kryeministri Albin Kurti për referendumin e Serbisë.

Gashi për IndeksOnline tha se nesër do të mbledhet Grupi Parlamentar.

“Ditën e nesërme, do të mblidhet grupi parlamentar i LDK-së dhe do të vendosim dhe merret vesh qëndrimi i LDK-së”, ka thënë ai.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme.

Ndërsa, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se do të marrin pjesë në seancë.

Në kërkesën e Kurtit thuhet se diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Kosovës për këtë çështje./IndeksOnline/