19:19 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / Blerim

Nesër shënohet Dita ndërkombëtare e profesorëve të gjuhës frënge

Ambasada e Francës në Kosovë, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Shoqata e profesorëve të gjuhës frënge në Kosovë do të shënojnë nesër Ditën e profesorëve të frëngjishtes.

E themeluar në vitin 2019 nga Federata ndërkombëtare e profesorëve të frëngjishtes, Dita e profesorëve të gjuhës frënge nxjerr në pah vlerën e profesionit të arsimtarit të frëngjishtes.

Për edicionin e sivjetmë do të organizohen aktivitetet me temën “Lidhje të reja, praktika të reja: projekte për nesër” – Publikimi në rrjetet sociale i një reportazhi më 26 nëntor mbi mësimin e frëngjishtes në Kosovë dhe tranzicioni i profesorëve drejt mësimdhënies në internet dhe organizimi i një hackathon online “Frankofonia dhe inovacioni digjital”, në partneritet me shkollën kompjuterike Epitech në Tiranë.

Më 26 dhe 27 nëntor, 30 pjesëmarrës të moshës 17 deri 30-vjeç do të kenë për detyrë të imagjinojnë kursin e gjuhës frënge të së ardhmes, duke marrë parasysh sfidat që lidhen me evolucionin e shoqërive tona dhe përdorimet digjitale.

Aktivitetet mbështeten nga Institut Français Paris dhe Federata ndërkombëtare e profesorëve të frëngjishtes.