12:14 / E Martë, 19 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Nesër vendoset për shqyrtimin e materialit të demarkacionit me Malin e Zi

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi vazhdon të jetë  ende ndër vendimet më të rëndësishme të vendit.

E siç duket kësaj çështje veçse i ka ardhur fundi. Raporti i dorëzuar nga Komisioni i udhëhequr nga Shepjtim Bulliqi i prezantuar javë më parë para Qeverisë së Kosovës, tashmë është në duart e deputetëve.

Është pikërisht dita e nesërme kur ky raport do të shqyrtohet nga deputetët, saktësisht anëtarët dhe kryesuesit e Komisionit për Punë të Jashtme.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të mbajë nesër takimin e radhës ku edhe do të bëhet shqyrtimi i kësaj marrëveshje në Komision teksa më pas i mbetet Kryesisë së Kuvendit të caktojë datën e seancës plenare  lidhur me Projektligjin për marrëveshjen e demarkacionit.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, e para e këtij Komisioni, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se nesër do të caktohet data në dakordim me të gjithë anëtarët.

“Nesër takohet Komisioni dhe e caktojmë datën me dakordim të të gjithë anëtarëve, meqë disa kanë kërkuar  kohë për t’i shqyrtuar materialet”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu ajo ka rikujtuar se në bazë të rregullores së punës, takimi i Komisionit nuk caktohet pa kaluar dy javë nga momenti i procedimit të Projektligjit në Kuvend. Por megjithatë nesër mbetet përfundimisht që të caktohet kjo datë.

Ndryshe nga të gjeturat e fundit të publikuara para Qeverisë së Kosovës, ishte bërë e ditur se Kosova humb territor nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje me Malin e Zi./Indeksonline/