21:16 / E Premte, 29 Mars 2024 / S Z

Neurologjia ende pa lift, pacientët me karroca bartën nëpër shkallë

Ka më shumë se një javë që Klinika e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) ka mbetur pa lift. Shkak për këtë janë punimet që po bëhen në këtë klinikë,  për vendosjen e një lifti të ri.

“Indeksonline” ishte në këtë klinikë për të parë gjendjen aty. Punëtorët e klinikës pohuan se lifti nuk punon, pasi që po punohet në vendosjen e një lifti të ri.

E pacientët të cilët gjenden të shtrirë në këtë klinikë, e të cilët janë në gjendje të rëndë,  detyrohen që të barten shkallëve nga familjarët apo stafi aty, pasi që lifti nuk punon.

Një familjar i një pacientes e cila ishte e shtrirë në spital i tha “Indeksonline”, se është e tmerrshme ajo që po përjetojnë në këtë klinikë, pasi që ai detyrohet ta bartë me karrocë nënën e tij.

Edhe pacientja Xhemile Matoshi nga Kamenica, thotë se ka qëndruar katër ditë në këtë klinikë dhe ka qenë shumë e vështirë për të, bartja nëpër shkallë. Ajo thotë se ndihet keq pasi që dhe djali i saj është detyruar të merret që disa ditë me të dhe ta bartë atë me karrocë disa herë nëpër shkallët e klinikës.

“Kam nejt katër ditë në Neurologji. E kam pas shumë vështirë, pasi që është dashur të lëvizë për analiza, e lifti në klinikë nuk punon. Kjo nuk është normale, ne që nuk mund të ecim me u detyru me lëviz nëpër shkallë.  E kam mundu shumë djalin tim, që është dashur të merret me mua dhe më vjen shumë keq për të “, tha ajo, teksa dilte nga klinika për të shkuar në shtëpi.

Por drejtori i Klinikës së Neurologjisë Edmond Komoni ka thënë për “Indeksonline” se ka pothuajse dy javë që lifti ka dalë jashtë funksionit, por së shpejti pritet të aktivizohet lifti i ri.

“Lifti nuk po funksionon sepse po montohet lifti i ri, i cili është duke u montuar. Që 10 ditë apo dy javë ashensori i vjetër është dal nga funksioni dhe po montohet ashensori i ri. Besoj që brenda  dy tre ditëve vendoset ashensori i ri. Nuk ka pasur ndonjë zgjidhje tjetër. Klinika e Neurologjisë ka vetëm një kat.

Pacientët vetëm një kat kanë me u ngjit. E di që ka telashe, por lifti i vjetër po heqet se ka pasur shumë probleme,  nuk ka pasur mundësi të mirëmbahet, shpesh ka dal jashtë funksionit. Qëllimi  është vendosja e një ashensori të ri, i cili do të kryen punë shumë më mirë dhe i cili brenda 3 apo katër dite do të futet në funksion”, ka thënë Komoni.