18:49 / E Enjte, 29 Dhjetor 2022 / Gj. Sh

Neymar akuzohet se morri qëllimisht karton të kuq ndaj Strasburgut

Të gjithë e dinë se çfarë e shtyn Neymar Júniorin për t’u “arratisur” në vendin e tij: festa e Karnavaleve, ditëlindja e motrës së tij të famshme… ose nata e ndërrimit të viteve.

Ndaj edhe kartoni i kuq (pas dy të verdhëve) i marrë prej tij në ndeshjen ndaj Strasburgut shihet me shumë dyshim. Neymar u ndëshkua dy herë brenda pak çastesh dhe do të mungojë për shkak të pezullimit në ndeshjen kundër Lens të planifikuar për datën 1 janar.

Tashmë janë shtuar zërat në Francë që vënë në dukje se “ish”-ylli i “Blaugranave” i mori me qëllim kartonët, pasi ka planifikuar të udhëtojë drejt vendlindjes së tij me rastin e ndërrimit të viteve.

Neymar tregoi një formë të mirë pas lëndimit të pësuar në Katar. Ai asistoi bashkëkombësin e tij, Marquinhos, në rastin e golit të parë të ekipit të tij. Megjithatë, sa hap e mbyll sytë, rreth pesë minuta pas u shënua goli i barazimit, u detyrua të shkonte në dhomën e zhveshjes (hera e pestë që ndëshkohet me karton të kuq te PSG).

Fillimisht, goditi Thomasson në fytyrë dhe mori kartonin e parë të verdhë. Sapo kaloi një minutë, simuloi për të marrë një penallti, me arbitrin Clément Turpin që nuk ngurroi ta sanksiononte me të dytin të verdhë.