14:21 / E Martë, 20 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Nga Kosova i reagojnë trajnerit shqiptar që ”përbuzi” Përfaqësuesen kosovare

Ish-trajneri shqiptar, Redi Jupi mori dje vëmendje të madhe pas deklaratave kontraverse në një emision sportiv.

Jupi, në veqanti, bëri disa deklarata krahasuese mes Kombëtares së Shqipërisë dhe Kosovës, duke nxituar reagime të shumta.

Në mes të tjerash, ai tha se vetëm Rashica nga Përfaqësuesja kosovare mund të kishte zënë vend te formacioni startues i Shqipërisë, shkruan IndeksOnline.

“Nga lojtarët e Kosovës vetëm një lojtar mund të luajë te Shqipëria, Milot Rashica, asnjë tjetër”.

“I kam parë dy ndeshje të Kosovës dhe ia di përmendësh formacionin, ndërsa formacionin e Shqipërisë nuk e di akoma”, tha mbrëmë Redi.

Por, deklaratave kontraverse të ish-trajnerit nga Shqipëria i kanë reaguar disa prej trajnerëve më të njohur në Kosovë.

Besnik Kollari, trajner i mirënjohur, tha për IndeksOnline se ky është mendim personal i Redit, dhe se ka respekt për Kombëtaren shqiptare.

”Ky është mendimi personal i tij, dhe unë e respektoj Kombëtaren shqiptare. Kanë pasur disa ngecje së fundmi, por kanë pasur fat të përballen me një grup të fortë”.

”Unë i gëzohem sukseseve edhe të Përfaqësueses kosovare edhe Kombëtares shqiptare”, tha Kollari në mes të tjerash.

Çështjen në fjalë e ka diskutuar edhe trajneri i Ferizajt, Afrim Tovërlani.

”Sa i përket këtyre deklaratave, unë e di se kemi futbollistë te Kosova që mund të luajnë edhe në Kombëtare më të forta se ajo e Shqipërisë”.

”Këto çështje i kanë bastardizu disa opinionistë nga Kosova e Shqipëria, të cilët po fusin përqarje mes vete”.

”Redi e ka mendimin e vet, por nuk kemi nevojë për gjëra të tilla”, tha Tovërlani për IndeksOnline.

Për fund, edhe Muharrem Sahiti e ka komentuar këtë, duke e pyetur Jupin se sa lojtarë të Shqipërisë mund të luanin për Kosovën.

”Ky është mendimi i tij, por sa është profesional, mbetet të analizohet. Por, mirë që s’ka tregu se sa futbollistë të Shqipërisë mund të luanin në Reprezentacion të Kosovës”.

”Kosova ka një grup jashtëzakonisht të mirë, por s’varemi nga individët”, tha Sahiti për IndeksOnline./IndeksOnline/