08:40 / E Premte, 29 Janar 2021 / OSH

Nga marka te përbërësit! Guidë: Ç’duhet të dish para se të blesh një produkt për lëkurën

Të blesh një produkt për lëkurën nuk është e thjeshtë, përkundrazi është një proces i gjatë “kërkimor” që shumë njerëz e shmangin. Informacionet ndonjëherë mund të jenë kontradiktore, ndaj në vijim kemi përgatitur një guidë se çfarë duhet të dish para se të blesh një produkt.

Hapi i parë: Konsidero faktorët e rëndësishëm për lëkurën.

1 – Lloji i lëkurës: Para se të blini një produkt, duhet të dini nëse lëkura juaj është e yndyrshme, normale, e thatë apo mikse. Nëse e keni të paqartë si ta dalloni, lexoni këtë artikull.

2 – Problemet e lëkurës: A keni një lëkurë me tendencë akneike? A ju shfaqen puçrra? A jeni alergjikë? A acarohet shpejt? Këto janë faktorë që duhet të dini përpara se të zgjidhni një produkt, sepse përbërës të caktuar mund të shkaktojnë probleme, por për këtë do të flasim më vonë.

Hapi i dytë: Kërko produktin

1 – Lloji: Në varësi të llojit të lëkurës dhe probleme që mund të shfaqë lëkura, duhet të zgjidhni se çfarë lloj teksture është më e mirë për ju. Po themi, përbërjet vajore nuk këshillohen për njerëzit me lëkurë të yndyrshme sepse bllokon poret.

2 – Vlerësimet: Lexoni vlerësimet e njerëzve të tjerë për një produkt të caktuar. Fakti që mund të jetë trend dhe/ose i shtrenjtë, nuk e bën domosdoshmërisht më të mirë. Ka produkte më të lira, të cilat veprojnë njësoj ose më mirë se një produkt i shtrenjtë. Vlerësimet në internet ju shërbejnë për të krijuar një pamje më të qartë.

Hapi i tretë: Vlerëso produktin

1 – Përbërësit: Më tepër sesa marka, rëndësi kanë përbërësit. Kushtojini rëndësi radhës së tyre. Ata rendihet përgjithësisht nga përbërësit me më shumë përqendrim te ata me më pak. Kështu që nëse ndonjë përbërës i rrezikshëm renditet në fillim, duhet të dini që produkti nuk ia vlen.

Nëse keni njohuri në gjuhën latine, sa mirë për ju. Në të kundërt, përdorni InciDecoder për të lexuar më shumë për secilin përbërës. Mund të shkarkoni edhe aplikacionet Think Dirty, GoodGuide, DetoxMe që bëjnë të tre të njëjtën gjë si InciDecoder – përshkruajnë përbërësit dhe tregojnë nëse janë të dëmshëm.

a – Mos u frikëso nga lista e gjatë e përbërësve.

b – Përbërësit natyralë nuk janë më të mirë.

c – Përbërësit që duhet të shmangni: fragrance, sulfates, parabens, formaldehyde.

ç – Përbërësit e vlerësuar: glycerin, ceramides, hyaluronic acid, ascorbic acid (vitamina C), tocopherol (vitamina E), retinol, niacinamide (vitamina B3).

d – Lexo: Fjalorthi i kujdesit të lëkurës: Ju shpjegojmë të gjithë përbërësit

2 – (opsional): Nëse nuk jeni të bindur dhe keni frikë se një produkt mund të mos bëjë për ju, merrni thjesht një tester. Mos e përdorni direkt në fytyrë, po në një zonë tjetër (dorë ose qafë).

Hapi i katërt: Këshillohu me dermatologen, farmacisten ose dikë të cilin e beson për produktet e kujdesit të lëkurës.

Kini parasysh që:

a – Nëse është produkt i shkëlqyer për shumë njerëz, jo domosdoshmërisht vlen edhe për ju.

b – Nëse është i shtrenjtë, jo domosdoshmërisht është më i mirë.

c – Produktet natyrale jo domosdoshmërisht janë më të mira.

ç – Nuk keni pse blini produkte nga e njëjta markë, por mund t’i përzieni. Një markë e caktuar, po themi, ka një larës shumë të mirë për lëkurën, por kremi i diellit nuk qëndron mirë në fytyrën tuaj.