18:11 / E Premte, 10 Gusht 2018 / indeksADMonline

Nga teknike, në bisedime për ndryshim kufijsh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të një pajtimi që kufijtë e Kosovës duhet të ndryshojnë. Por, ata duan vetëm të marrin.

Thaçi dëshiron ta marrë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, por mos t’i japë asgjë Serbisë. E presidenti serb, Vuçiq, e ka bërë të qartë se dëshiron t’i marrë katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, por nuk ka thënë asgjë se çka do të japë si këmbim.

Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm me luftë.

Politologu nga Prishtina, Ramush Tahiri, thotë se deklaratat e tilla, mund të kuptohen se të dy presidentët janë pajtuar që të ndërrojnë tash me formatin e bisedimeve dhe të kalojnë në bisedime politike.

“Qasja e dialogut dhe ndryshim i kritereve, determinon edhe natyrën e marrëveshjes, sepse nëse flitet për korrektim të kufijve nga ana e presidentit Thaçi, ndërsa nëse flitet për që duhet Serbia ta dijë ku e ka kufirin që e kontrollon efektivisht, atëherë shihet se po bisedohet për caktimin e kufirit të ri”, thotë Tahiri.

Shtete etnike

Analisti politik në Beograd, Bosko Jaksiq, thotë se problemi më i madh është se nuk dihet së çfarë saktësisht nënkupton demarkacioni, duke komentuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për të biseduar me shqiptarët e Kosovës për çështjen e kufirit.

Ai thotë për REL se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, një vit më parë e ka përmendur çështjen e demarkacionit me Kosovën.

“Është një përpjekje për të krijuar territore etnikisht të pastra, domethënë jugu i Serbisë, që do të ishte tërësisht me serbë, dhe Kosova do të ishte etnikisht e pastër”, thekson Jaksiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai pajtohet që të ketë ridefinim të kufijve me shqiptarët. Vuçiq ka thënë se me politikën e tij angazhohet për përkufizimin e kufijve me shqiptarët.

Tahiri thekson se është vështirë të thuhet nëse të dy vendet do të mund të arrijnë një marrëveshje.

“Korrigjimi i kufijve është i mundshëm nëse të dy palët pajtohen ose siç thotë presidenti i Serbisë, për tango nevojiten dy lojtarë. Mirëpo, a do të arrihet zgjidhja, është e vështirë të thuhet, sepse konflikti serbo-shqiptar si dy kombe, është së paku qe 200 vjet dhe gjithmonë kemi pasur ekspansion të vazhdueshëm të shtrirjes territoriale serbe dhe të pushteteve që janë zgjeruar në dëm të strukturës etnike dhe në dëm të territorit të popullit shqiptar”, vlerëson Tahiri.

Duke folur për korrigjimin e kufirit me Serbinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova dhe Serbia mund ta korrigjojnë në mënyrë paqësore kufirin.