18:33 / E Martë, 15 Nëntor 2022 / k.v

Nga Uashingtoni: LDK e shqetësuar me degradimin e raporteve Kosovë-ShBA

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku së bashku me një delegacionin e tij po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai takimet e larta i ka nisur sot me Gabriel Escobar, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.

“Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane”, ka thënë Abdixhiku, transmeton IndeksOnline.

Sipas tij LDK-ja është mirënjohëse për ndihmesën historike dhe aktuale të Qeverisë së SHBA-ve, të institucioneve të tjera dhe të popullit amerikan për Republikën e Kosovës.

“Së bashku, deri më tani, kemi arritur rezultate historike, mbi të cilat duhet të sigurohet e ardhmja e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera të botës. Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, është misioni ynë i pandryshuar”, ka thënë kreu i LDK-së.

Në këtë drejtim, Abdixhiku ka shtruar kërkesën për arritjen dhe nënshkrimin e ‘Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’. Kjo kartë bilaterale partneriteti, sipas tij, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit.

Ai ka thënë se Escobar i prezantuan dhe pikëpamjet e tyre mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë. Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat.

“Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë. Edhe një herë, u bëj thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë, në funksion të shtrirjes së sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, të sigurisë dhe të prosperitetit për të gjithë”, ka deklaruar kryetari i LDK-së./IndeksOnline/