09:38 / E Hënë, 04 Dhjetor 2023 / S Z

Ngrihën çmimet e importit

Çmimet e importit në Kosovë patën një ngritje në një mesatare prej 0,6 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e dytë të po këtij viti. Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin tek këpucët me  6,2 për qind,  produktet minerale me 3,1 për qind, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me 2,5 për qind.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: vajrat ushqyese (-3,9%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale, muzikore dhe mekanizmat e orës (-3,3%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (-2,3%); lëkura dhe artikujt e saj (-1,5%); mjetet e transportit (-0,9%) etj.

Ndërsa në tremujorin e tretë të  2023, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit  2022, çmimet janë ngritur për  3,0 për qind.

Çmimet e importit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 3,0% në TM3 2023, krahasuar me TM3  2022. Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: letra dhe artikujt e saj (17,9%); lëkura dhe artikujt e saj (17,1%); produktet bimore (16,8%); tekstili dhe artikujt e tekstilit (16,1%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (12,1%); mjetet e transportit (9,5%) etj.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: vajrat ushqyese (-15,6 %); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-8,7%); produktet minerale (-6,0%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-5,1%); si dhe druri dhe artikujt e tij (-1,5%).