14:53 / E Martë, 22 Tetor 2019 / indeksADMonline

Aktakuzë ndaj personit që e fotografoi dhe e postoi votën në Facebook

Prokuroria Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër F.S., për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprën penale: “Cenimi i fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.S., ditën e zgjedhjeve rreth orës 11:00 në fshatin Sllapuzhan të Suharekës, në vendvotimin e objektit shkollor “Xhavit Sylaj” cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës, në atë mënyrë që pasi voton, fletëvotimin përmes telefonit celular “iPhone XR” e fotografon dhe pastaj e poston në rrjetin social “Facebook” si edhe në portalin “Suhareka online”.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri F.S., ka përmbushur elementet e veprës penale: “Cenimi i fshehtësisë së votimit” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.