20:54 / E Shtunë, 18 Mars 2023 / C E

Nipi i Adem Jasharit debuton në Superligë

Igball Jashari, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, ka debutuar sot në Superligë.

Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri i ka dhënë disa minuta në ndeshjen ndaj Drenicës.

Ky është njoftimi i Prishtinës:

FC Prishtina po mendon për të ardhmen duke u dhënë hapësirë lojtarëve të rinj.

Futbollisti i radhës i talentuar që e ka bërë debutimin në fanellën “bardhekaltër” është Igball Jashari.

Igballi, që është pasardhës i familjes legjendare të Jasharajve nga Prekazi i Skenderajt, e bëri debutimin pikërisht në Skenderaj, në stadiumin “Bajram Aliu” në ndeshjen ndaj Drenicës.

Sulmuesi anësor u inkuadrua në minutat e fundit të ndeshjes nga trajneri Debatik Curri, në takimin në të cilën Prishtina arriti fitore me rezultat 1:0.

Igballi (17-vjeçar) konsiderohet një ndër futbollistët më premtues në Kosovë teksa është pjesë edhe e grupmoshave të reja të Përfaqësueses sonë.