09:46 / E Hënë, 24 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Nis shpërndarja automatike e lëndëve gjyqësore, në të gjitha gjykatat themelore

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se më 18 shkurt ka filluar funksionimi i shpërndarjes automatike të lëndëve gjyqësore përmes SMIL-it në të gjitha gjykatat themelore, në Kosovë.

Kjo pas funksionimit të suksesshëm në Gjykatën Themelore, në Ferizaj.

“Përmes implementimit të këtij funksioni në gjykata, KGJK-ja, ka arritur standarde të larta në transparencën e punës së gjykatës, duke hequr nga përdorimi mënyrën manuale të shpërndarjes së lëndëve, pasi që caktimi i lëndëve te gjyqtarët tanimë bëhet në mënyrë automatike dhe përdoruesi i sistemit apo zyrtari përgjegjës nuk ka mundësi të ndërhyrjes gjatë shpërndarjes së lëndëve, duke eliminuar kështu mundësinë e manipulimit të procesit të shpërndarjes së lëndëve“, njofton Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Implementimi i funksionit të shpërndarjes automatike të lëndëve përmes sistemit SMIL, së shpejti do të fillojë edhe në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.