14:37 / E Enjte, 09 Maj 2019

Nisin hetimet ndaj ish-ministrit të Qeverisë së Kosovës, për keqpërdorimin e 4 milionë eurove

Policia e Kosovës, përkatësisht njësia për krime ekonomike ka nisur hetimet ndaj ish-ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo.

Sipas burimeve të Indeksonline brenda Policisë së Kosovës hetuesit policorë kanë filluar mbledhjen e provave dhe intervistimin e disa dëshmitarëve dhe zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Bujqësisë.

Ish-ministri i cili vinte nga Lista Serbe dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën zyrtare në kohën sa ka qenë në krye të Ministrisë së Bujqësisë.

Indeksonline merr vesh se bëhet fjalë për keqpërdorimin e rreth 4 milionë eurove të cilat janë dhënë si grande dhe subvencione nga kjo ministri.
Ish-ministri Rikallo ishte shkarkuar më 2 shkurt të këtij viti nga kryeministri Ramush Haradinaj./Indeksonline/