20:02 / E Mërkurë, 07 Prill 2021 / Blerim

Një arkitekt sirian shpellën e shndërron në galeri arti

Arkitekti për hapësira të brendshme në Idlib të Sirisë, Abdulmuti Said, për të tërhequr vëmendjen tek civilët të cilët janë strehuar nëpër shpella duke ikur nga sulmet e regjimit të Bashar al-Assad-it dhe mbështetësve të tij, ka shndërruar në galeri arti një shpellë.

54-vjeçari Said u detyrua të zhvendoset nga Halepi në Idlib një vit e gjysëm më parë për shkak të sulmeve të regjimit.

Ai vendosi që të dekoronte pjesën e brendshme të një shpellë për t’i treguar botës se çfarë përjetojnë civilët që ishin detyruar të zhvendosen si ai.

Pas një punimi dy muaj e gjysëm me ekipin e tij, Said brenda dhe jashtë shpellës ka vendosur kolona të punuar me dorë me dizajn antik romak ndërsa brenda shpellës ka vendosur gjësende dekorative duke e hapur atë për vizitë si një galeri arti.

“Ky punim do t’u mbetet gjeneratave të ardhshme”

Arkitekti për hapësira të brendshme nga Halepi, Said në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se shumë persona në Idlib jetojnë në shpella, prandaj për të tërhequr vëmendjen në këtë e ka shndërruar një shpellë në galeri arti.

“Një herë punuam mbi terrenin. Pastaj caktuam dizajnin që do të zbatohet. Për shkak se gjeometria e shpellës ishte e përshtatshme, ne vendosëm të ndërtonim stalaktite dhe kolona historike”, u shpreh Said.

Ai vuri në dukje se kanë përforcuar shpellën për të parandaluar ndonjë rrezik. “Gjatë gërmimit hasëm shkëmb. Kjo na ndihmon që ta bëjmë dizajnin. Ne përdorim shkëmbin që t’i japim dizajnit tonë përshtypjen e një periudhe të vjetër”, tha Said.

Said tha se gjatë punës kanë përdorur rërë, çimento dhe hekur. “Ky punim me lejen e Allahut do t’u mbetet gjeneratave të ardhshme. Do të tregoj se si kanë jetuar njerëzit”, tha ai.

Sipas vlerësimeve, qindra familje që ikin nga sulmet e regjimit të Assadit dhe Rusisë strehohen në shpella.