75 Mall Live Search
19:15 / E Martë, 12 Maj 2026 / MSH1

Një doktoreshë në listën e LDK-së, prezantohet si aderim nga Vjosa Osmani

Vjosa Osmani ka njoftuar aderimin e Albulena Bilallit në LDK.

Përmes një postimi, Osmani ka deklaruar se Bilalli po sjell me vete një rrugëtim të veçantë mes akademisë, artit dhe shkencës.

Bilalli, doktoreshë e shkencës, është e vlerësuar me gradën më të lartë akademike “Summa Cum Laude”.

“Gjatë vitit të fundit, Dr. Bilalli është angazhuar në hulumtime pranë Trepçës, me përkrahjen e tyre, në projekte me potencial shkencor, industrial dhe kulturor për Kosovën. Paralelisht, ajo ka kontribuar në iniciativa që lidhen me standardizimin dhe modernizimin e laboratorëve të Trepçës, duke ngritur vazhdimisht nevojën për standarde dhe matje të sakta në industrinë minerare” shkroi Osmani.

Ky është postimi i plotë i saj:

Dr. Sci. Albulena Bilalli i bashkohet garës për deputete, duke sjellë me vete një rrugëtim të veçantë mes akademisë, artit dhe shkencës, të ndërtuar përmes një karriere të suksesshme ndërkombëtare.

Ajo ka shënuar një arritje të rrallë duke u bërë doktoresha e parë e huaj në Fakultetin e Grafikës të Universitetit të Zagrebit dhe mbetet e vetmja nga rajoni në këtë fushë, e vlerësuar me gradën më të lartë akademike “Summa Cum Laude”.

Për më shumë se 15 vite, ka qenë pranë studentëve, në laboratorë e projekte kërkimore, duke kontribuar në formimin e gjeneratave të reja në art, dizajn dhe zhvillimin e industrisë grafike e të prodhimit në Kroaci.

Puna e saj shkencore përfshin studime dhe prezantime të shumta ndërkombëtare, ndërsa është pjesë e grupit prestigjioz “Language of Colour” pranë International Colour Association (AIC).

Përtej akademisë, ajo ka ruajtur gjithmonë lidhjen me kulturën shqiptare në diasporë dhe ka kontribuar në projekte që lidhen me trashëgiminë kulturore shqiptare.

Gjatë vitit të fundit, Dr. Bilalli është angazhuar në hulumtime pranë Trepçës, me përkrahjen e tyre, në projekte me potencial shkencor, industrial dhe kulturor për Kosovën. Paralelisht, ajo ka kontribuar në iniciativa që lidhen me standardizimin dhe modernizimin e laboratorëve të Trepçës, duke ngritur vazhdimisht nevojën për standarde dhe matje të sakta në industrinë minerare.

Me një përvojë unike që bashkon dijen, artin dhe angazhimin ndërkombëtar, ajo vjen si një zë i ri dhe i fortë në jetën publike.

Na priftë e mbara, e dashur Albulena!