08:30 / E Enjte, 25 Shkurt 2021 / AR

Një e vdekur dhe rreth 44 punëtorë shëndetësorë në Klinikën e syve të prekur nga Covid-19

Rreth 44 punëtorë shëndetësorë në Klinikën e syve janë prekur nga virusi Covid-19, ndërsa ka vdekur një instrumentare e sallës, kështu tha drejtori i Oftalmologjisë, Ardian Shabani.

Shabani tha se në këtë klinikë nuk kanë pasur pacientë të shtruar në spital, mirëpo theksoi se persona që janë trajtuar nga oftalmologu janë rekomanduar që së pari të bënin një test për Covidin-19.

“Nuk kemi pasur  pacientë me Covid të shtruar në spital në Klinikën e Syve, por kemi pasur disa  që kanë pasur nevojë për trajtim tek oftalmologu, e kemi pranuar pacientin, mirëpo ne kemi rekomanduar para operacionit gjithmonë ta bënte testin për Covidin”.

“Ka pasur disa që kur e kanë bërë testin kanë rezultuar pozitivë, në atë moment pacienti është liruar në shtëpi ka marrë terapi dhe trajtimin e duhur antiCovid pasi ka rezultuar negativ, është paraqitur prapë në Klinikën e Syve dhe ka vazhduar trajtimin në klinikën tonë”, tha ai.

“Në Klinikën e Syve janë 44 punëtorë shëndetësorë që kanë rezultuar pozitivë me Covid, momentalisht i kemi vetëm katër me të, dy janë duke marrë trajtim në Klinikën Infektive dhe dy në vetizolim në shtëpi. Fatkeqësisht kemi pasur edhe një vdekje të një instrumentareje të sallës shkaku i Covidit ka ndërruar jetë para dy muajsh”, përfundoi ai.