21:06 / E Hënë, 28 Dhjetor 2020 / Blerim

Një fundvit dhe fillimvit ndryshe

Shkruan: Florent Rrahmani

Vitit 2020 i kanë dhënë pamje të re sjelljes së njerëzimit. Ndryshimet e imponuara, rrodhën si pashmangshmëri e domosdoshmëri të cilat burimin e kishin nga Covid-19. Anipse shpërfaqja e tij nisi në vitin 2019, shtrirja e tij mori hov përgjatë gjithë vitit 2020. Hovshmëria e të cilit mori shumë jetë njerëzish dhe shumë të tjerë i bëri të vuajnë gjatë nga pasojat e tij.

Gjurmët e tij u shtrinë kudo brenda nesh. Në realitetin e jetuar dhembshëm dhe në dhembjen e jetuar përgjatë kësaj periudhe.

Përballë qenies njerëzore me apo pa dashje u shtrua kërkesa e reflektimit të brendshëm përballë veprimit të jashtëm. Krahas kësaj, u shtrua edhe nevoja e ndryshimit në sjellje, mendim, gjykim dhe veprim.

Si rrjedhojë e kësaj shumëçka humbi kuptimin derisa shumëçka mori kuptimin që s’e pati deri më sot. Me shfaqjen e Covid-19, bota ka filloi një shfaqje të re. Krejtësisht tjetër. Ndryshe nga ajo që ishte deri më sot.

Për një vit të tërë, secili nga ne jetoi me pyetjet: A do të infektohem unë? A do të infektohet ndokush nga familja ime, shoqëria apo rrethi im? Nëse po… A do të shpëtojmë? A do të vdesë unë nga ndokush?

A do të vdesë tjetri nga unë?  A do të gjendet vaksina, a do të kalojë virusi?

A do të ketë kthim në normalitet? Nëse po… Si do të jetë ai normalitet?

Janë një mori pyetjesh që prisnin një mori përgjigjesh.

Kjo mori pyetjesh, në pritje të gjithë atyre përgjigjeve ndryshoi jetën e secilit prej nesh, dhe ky ndryshim ka lënë gjurmët kudo, tek cilido.

Ky ndryshim ishte vet kërcënimi. Kërcënimi i cili mori përmasa të mëdha, kërcënim me jetë.

Pra, Covid-19 i dha një kuptim tjetër dhe krejtësisht të ri botës në vitin 2020. Nuk ka asnjë dilemë se kjo pandemi krijoi sjellje të re dhe po kështu shtroi nevojën për kërkesa të reja.

Sot, Bota ka marrë pamje të re, krejtësisht ndryshe nga ajo e një viti më parë. Kjo duket sot, kur jeta për një vit të tërë u jetua me kërcënimin permanent se vdekja është shoqëruesi ynë i përhershëm. Ajo mund të jetë kudo, dhe tek secili. Mund t’ia japim secilit, dhe mund ta marrim nga secili. Të jetuarit nën këtë presion, kapërceu fuqitë individuale dhe kolektive të përballjes me një realitet sa të dhembshëm, po aq edhe të pashpresë.

Kapërceu mbi secilin, për të arritur tek secili. Fali apo ndëshkoi secilin që mund ose s’mund ta përballojë.

Kështu, është jetuar në kushte të jashtëzakonshmes, duke prishur rendin individual dhe kolektiv të zakonshëm të të jetuarit.

Sot, jetojmë me sjellje të re, me kërkesa të reja. Jetojmë me realitetin e ri, sa të dhembshëm, po aq edhe të kushtueshëm.  

Me përhapjen e Covid-19, dhe me rrezikun që përmban në vete ky Virus, fillimisht hapi i parë i nevojshëm, u pa mbyllja, izolimi, vetizolimi. Qenia njerëzore u rihap përballë frikës nga vet qenia njerëzore, derisa u vetëmbyll nga tjetri dhe nga të tjerët.

Mbështetja e vetme u pa tek vetmia.

Po kjo ndjenjë përkatësie e vetmisë, shpërfaqi edhe ndjenjën e frikës nga secili. Megjithatë, kjo lloj frike prodhoi edhe siguri nga tjetri, por edhe siguri për tjetrin.

Nga kjo frikë, nga ky vetizolim nisi të prishet rendi individual, rendi në familje, në shkollë, në punë dhe përgjithësi në shoqëri, dhe po këtu filloi edhe rendi i ri socio-psikologjik dhe ekonomik. Filloi sjellja e re, me tjetrin dhe të tjerët, dhe kësisoj botëkuptimi u ridimensionua,

Psikologjia e ndryshimit nisë nga sjellja individuale, pikërisht me nevojën që shtrohet për një distancë fizike, për përdorim të maskës, për pastrim më të shpeshtë të duarve dhe kryesisht për higjienë më të madhe personale.

Nuk ka asnjë dilemë se ishin këto mënyra që krijuan një lloj sigurie përballë pasigurisë se mund ta bartësh virusin nga tjetri, apo mund t’ia transmetosh tjetrit.

I ndodhur përballë një realiteti të ri, cilado sjellje e individit sot mund të arsyetohet, qoftë frika, vetmia, pasiguria, vetëizolimi, vetëkufizimi. Ngase, të gjitha tjerat janë më lehtë të përballueshme, sesa përballja me vdekjen.

Ky konstruksion i ri shoqëror që na ka përcjellë përgjatë vitit 2020 i ka dhënë njëdimensionalitetin jetës sonë, i quajtur karantinim. Ky karantinim, qoftë individual apo kolektiv, fatkeqësisht nuk po duket të jetë vetëm fizik, sa edhe psiqik e emocional. Shtrirja e tij po duket të ketë marrë përmasa sa edhe vetë Covid-i, ngase, kjo u pa si e vetmja formë e mbijetesës dhe rezistencës përballë rrezikshmërisë permanente me të cilën ende po bashkëjetojmë.

Gjithçka përreth nesh është e kërcënuar derisa gjithçka përreth nesh na kërcënon. Nën kërcenim u jetua jeta përgjatë ditëve të këtij viti.

Të robëruar nga ky lloj kërcënimi publik ishim të gjithë. Madje pasiguria e shpërfaqjes në publik, sikur e ndihmoi edhe më shumë zhvillimin e mosbesimit tek tjetri.

Mbi këtë kërcënim dhe me këtë kërcënim jeta humbi kuptimin e saj të gjertanishëm, derisa mori një lloj kuptimi ende të pakuptimtë, derisa asgjë publike dhe asgjë e përbashkët me tjetrin nuk ofron sigurinë e mosinfektimit me këtë pandemi.

Vetëm vetizolimi është një nga mënyrat më të sigurta për t’i ikur ballafaqimit me këtë virus, i cili përditë e më shumë po merr jetë njerëzish. Nëse je i infektuar, apo vetëm si i dyshuar vetëizolimi është domosdoshmëri, në mënyrë që të tjerët të shpëtojnë nga ti. Por, edhe nëse të tjerët janë potenacilaisht të infektuar apo vetëm të dyshuar, sërish, siguria e vetme që ka individi është vetmia.

Vetmia e përkthyer në këtë rast si vetizolim, me qëllim për ruajtjen e vetes dhe tjetrit, është mundësia që individi hapet përballë vetes, derisa ballafaqohet me vetveten në këtë fazë të vetëmbylljes. Sheh brenda vetes ato që nuk i ka parë deri më sot. Njeh ato që s’pati kohë as rast t’i njohë deri më sot. Prandaj, kjo lloj vetmie është një lloj vetënjohjeje. Një lloj i ritakimit me vetveten. Kjo vetmi sikurse është një lloj rrëfimi përballë vetes, duke shtyrë individin drejtë rishikimit të veprimeve të tij të derisotshme, mbi ato çfarë i ka bërë dhe ato që s’i ka bërë, mbi nevojat e tij, mbi plotësimet e tij dhe mbi mungesat e tij.

Kjo lloj vetmie ‘shpëtimtare’, është një arenë ballafaqimi me vetveten. Kjo, edhe s’mund të duket ndryshe përvese thirrje e vetvetes për vetveten.

Viti 2020 përveç Covid-19, shpërfaqi edhe Njeriun me Maskë. Anipse, në shikim të parë kjo mund të jetë jo lehtë e pranueshme, sepse Njeriu me Maskë, nuk është ai i vërteti, nuk është fytyra e tij reale, pra është maskuar diçka në brendinë e tij.

Njeriu me Maskë mund të nënkuptohet brenda konotacionit të një fshehtësie e cila jeton me të, dhe se e vërteta nga ai është një e vërtetë e maskuar, sado që ajo mund të jetë reale.

Por, rrethanat e krijuara si rrjedhojë e këtij virusi kanë imponuar maskën. Madje, në shumë vende ajo u bë obligative, sikurse edhe në vetë shoqërinë tonë.

Si rrjedhojë e këtij realiteti, Njeriu me Maskë u bë i vërteti në vitin 2020. Ai, tashmë është realiteti, e vërteta. Maska, tashmë po humb kuptimin e maskimit të fytyrës së vërtetë, por, po shihet si mjet i vetëmbrojtjes dhe mbrojtjes së tjetrit.

Maska tashmë po merr konotacion pozitiv. Anipse, bartja e saj sikur shpërfaq një njeri frikacak, për një kategori, dhe se mosbartja e saj në njërën anë po shpërfaqë një ‘trimëri’ krejtësisht të paqëndrueshme, ngase realiteti lehtësisht i ndryshueshëm, dhe mundësia e madhe e përhapjes së virusit natyrshëm që arrinte lehtësisht të ndryshonte edhe mendimet e individit.

Pavarësisht rrjedhës së krijuar, një gjë tashmë po dëshmohet se Maska është një element mbrojtjeje për njeriun. Njeriu mund t’i jetë mirënjohës vetvetes për kujdesin e shtuar, por njëkohësisht edhe Maskës e cila tashmë u bë pjesë e pandashme e tij, të paktën në momentet e ekspozimit të tij në publik.

Pra, fytyra e secilit nga ne sot është Maska.

Çfarëdo qoftë ajo, çfarëdo çmimi që ka, në këtë rast ajo është duke u përdorur vetëm për një qëllim.

Qëllimi pra është vetëmbrojtja dhe mbrojtja e tjetrit.

E në këtë betejë Njeriu me Maskë po shihet si diçka pozitive. Kjo lloj psikologjie e pranimit të Njeriut të maskuar, u bë psikologji e turmës si kujdes i shtuar në shërbim të ruajtjes së shëndetit. Dhe në kuadër të shumë ndryshimeve të cilat i imponoi Covid-19, është pikërisht edhe kjo. Kudo në botë, njerëzit sot i sheh të maskuar nga detyrimi, ngase në shumë lokale, vende publike, nuk mund të hysh të marrësh shërbimet e nevojshme në rast se nuk e ke një maskë të tillë. Madje, nëse veç je i pamaskuar, sot shihesh së kërcënim për tjetrin, për kolektivin.

Duke bartur një të tillë shtojmë kujdesin për veten në rend të parë, por edhe për secilin që na paraqitet përballë nesh.

Maska, tashmë paraqet siguri psikologjikisht. Sidomos, nëse kemi parasysh se sot njerëzit në rrugët, sheshe, vendet të punës, markete, barnatoret, furrat e bukës dhe kudo i sheh të maskuar, e me kujdes jashtëzakonisht të shtuar në mbajtjen e distancës fizike.

Ridimensionimi i sjelljes të gjithsecilit nga ne tashmë u bë i pashmangshëm. Sjellja jonë, tashmë formën e mori pikërisht nga frika prej tjetrit. 

Frika nga tjetri dhe frika për tjetrin, sot është një nga mënyrat që ka dhënë formë këtij ndryshimi kaq të madh Botës.

Vetizolimi, Distana, Maska janë elementet më të rëndësishme që e përbëjnë këtë ndryshim. Si të tilla ato po jetojnë me ne, derisa ne jemi të detyruar të jetojmë në këtë mënyrë edhe në përmbylljen e një viti dhe në fillimin e një tjetri.