Një jetë në Sllovaki, biznesmeni shqiptar tregon si po ndikon në imazhin e Kosovës fitorja e së enjtes
Qaush Berisha është një nga biznesmenët e njohur të Kosovës që prej vitesh jeton dhe vepron në Sllovaki. Me prejardhje nga Peja, ai ka plot 35 vite që jeton atje. Për Indeksonline, Qaushi ka treguar se si brenda pak ditësh fitorja e Kosovës ndaj Sllovakisë ka ndikuar në imazhin e shtetit.
“Jetoj prej 35 vitesh në Sllovaki. Kurrë nuk e kisha imagjinuar që një ditë do të përballeshim në fushë me sllovakët, e lëre më t’i mposhtnim. Brenda pak ditësh, reputacioni i Kosovës është ngritur. Shumë shokë sllovakë më kanë thënë se janë fascinuar me lojën dhe suksesin e arritur nga Kosova. Ata janë mahnitur edhe me përkrahjen e madhe që kemi pasur në stadiumin sllovak. Nuk e mbajnë mend që një skuadër mysafire të ketë qenë më e zhurmshme në terrenin e tyre sesa Kosova,” ka thënë Qaush Berisha.
Piceria “Saranda”, e cila ndodhet në Bratislavë dhe është në pronësi të Qaushit, ka qenë mikpritëse e shumë sllovakëve dhe ka shërbyer e qerasur shumë mysafirë në ditët e fundit.
“I kemi mposhtur në fushë, tash duhet t’i ngushëllojmë së paku me pica,” ka thënë Berisha në mesazhin e tij të gëzuar për fitoren e Kosovës.


