16:28 / E Enjte, 03 Nëntor 2022 / MSH

Një muaj burg për ferizajasin që u mor me shitblerje të substancave psikotrope dhe analoge

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se më 1 nëntor 2022, në një rrugë të Ferizajt, i pandehuri pa autorizim ka blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që ditën kritike, me rastin e kontrollit nga ana e zyrtarëve policorë, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e ndarë në sasi të vogla dhe e përgatitur për shitje, duke vendosur në shtatë (7) folie alumini në sasi prej 6.87 gramë dhe një qese tjetër najloni në sasi prej 13.16 gramë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.M., e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.